Në fshatin Terstenik të Drenasit (Kosovë) lindi Rifat Kukaj, shkrimtar, përkthyes letrar. Kreu shkollën fillore në vendlindje, kurse Normalen në Prishtinë. Punoi si mësues dhe drejtor shkolle në fshatin e lindjes, pastaj gazetar dhe redaktor në emisionet për fëmijë të Radio Prishtinës, ndërkaq kohën më të gjatë të punës ishte redaktor i botimeve për fëmijë në redaksinë e botimeve “Rilindja”. I takon grupit të shkrimtarëve që sollën dhe avancuan shprehjen moderne në letërsinë tonë për fëmijë, si dhe bartën barrën e zhvillimit të kësaj letërsie në Kosovë. Numri i veprave të tij është shumë i madh dhe ato janë të të gjitha zhanreve letrare: poezi, tregime, romane, ilustracione, humoreska, radiodrama, skeçe etj. E shquan një shprehje e ngrohtë, që vjen si rezultat i frymëzimit të thellë dhe është komunikuese me lexuesin, sidomos me fëmijët. Është shkrimtari ynë me numrin më të madh të romaneve për fëmijë, ndër të cilët: “Bardhi e Mirushja” (1968), “Lepuri me pesë këmbë” (1971), “Zogu i bardhë” (1989) etj. Po ashtu botoi numër të madh përmbledhjesh me tregime dhe përmbledhje me poezi. Botoi edhe ilustracione për fëmijë dhe u mor edhe me përkthime letrare, sidomos nga gjuha sllovene. Për krijimtarinë e tij letrare iu dhanë çmime dhe mirënjohje të shumta. Vepra e tij letrare është përkthyer në disa gjuhë të huaja. U nda nga jeta në Ulqin, në vitin 2005. (Në fotografi: Rifat Kukaj)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 910.
Fotografia: © https://www.koha.net/perkujtime/264/rifat-kukaj/
Përpunim grafik: AHCF




