Lindi në fshatin Zëmblak të Korçës Pëllumb Kulla, regjisor i teatrit, i estradës, humorist, dramaturg. U emërua në Teatrin e Vlorës, ku punoi për më shumë se dy vjet. Për shkaqe politike u largua nga puna dhe e dënua të punojë në guroren e Kaninës dhe në ndërmarrjen e ndërtimit, kohë që zgjati përmbi 5 vjet. Më vonë u emërua në Teatrin e Fierit, ku punoi afro 18 vjet. Nga viti 1990 deri në vitin 1992 punoi në Fakultetin e Artit Skenik si pedagog i mjeshtërisë së aktorit, duke mbajtur dhe detyrën e dekanit të atij fakulteti. Pas vitit 1992 u angazhua në përfaqësitë diplomatike të vendit, për pak kohë në Bon, Gjermani dhe më pas si Ambasador i Shqipërisë në OKB, detyrë që e mbajti deri në shtator të vitit 1997. Punoi si kryeredaktor i gazetës shqiptaro-amerikane “Iliria” të Nju-Jorkut, 1997–1998. Pëllumb Kulla, si krijues i njohur i humorit dhe si regjisor, shquhet për shije të hollë, kulturë e mprehtësi. Si publicist, ka shkruar shumë artikuj dhe analiza mbi situatën brenda dhe jashtë vendit. Regjisura e Pëllumb Kullës, krahas dramacitetit, frymës epiko-heroike dhe një tensioni të madh dramatik në dialog, dallohet veçanërisht për humorin e hollë, elegant, plot befasime të këndshme, i cili zbulohet përgjatë shfrytëzimit të epërm të gjendjeve komike, gjithashtu të sjelljeve të natyrshme e kundërvënëse të karaktereve. Si shkrimtar i shquar humorist i skenës, vlerësohet për humorin e çlirët, spontan, plot të papritura dhe mprehtësi komike. (Në fotografi: Pëllumb Kulla)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://gazetavatra.com/shkrimtari-dramaturgu-dhe-skenaristi-pellumb-kulla/
Përpunim grafik: AHCF




