Marko Bitraku

Lexo ngjarje:

Lindi në Lavdar të Oparit në rrethin e Korçës, Marko Bitraku, aktor. Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1972 dhe nisi punë si aktor në teatrin “A. Z. Çajupi” të Korçës, gjer në vitin 2004 kur shkoi në Tiranë. Ka interpretuar mbi 80 role, më së shumti tipa e karaktere që janë shoqëruar përherë nga drita dhe vesku i humorit, prej nga vihen re me lehtësi gjithashtu nënshtresat e ironisë e të sarkazmit. Spikati me rolin e Stasit në komedinë “Një nuse për Stasin” e T. Laços (1982), përmes të cilit krijoi tipin e beqarit të moshuar me kompleksin e fortë të ndrojtjes prej rënies së flokëve. Më vonë mishëroi me hijeshi rolin e Dules në dramën “Djemtë e Bato Gorës” e R. Pulahës. Përgjithësisht ruajti modelin e vet, si aktor me hir komik, me një veprim të shpenguar e mimikë shprehëse, i natyrshëm, burlesk, çka u vërejt në shumë figura të krijuara prej tij në shfaqjet e teatrit të Korçës. Me rolin e deputetit në komedinë “O deputet, o gënjeshtar” e Dh. Psathait (2002), mbërriti në një nga realizimet më të mira të tij. Ai paraqiti tipin e politikanit të korruptuar, duke u tallur me premtimet boshe si dhe vetë mekanizmin e fushatave elektorale, të cilat prodhonin mashtrime dhe fiktivitet politik. Marko Bitraku ka luajtur edhe në 12 filma, në të cilët ka rënë në sy për vërtetësinë dhe mëvetësinë e figurave të krijuara, sido që role të dyta apo me pak fjalë. Ndër ta: kryexhandari te “Mësonjtorja” (1979), fshatari te “Kush vdes në këmbë” (1984), mësuesi i gjeografisë te “Sloganet” (2002), Samiu te “I dashur armik” (2004). Herë pas herë aktivizohet në emisione e rubrika humoristike në televizione të ndryshme. (Në fotografi: Marko Bitraku)

Teksti: Josif Papagjoni

Fotografia: © http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2015/10/bitraku.jpg

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img