Në lagjen “Tophana” të Vlorës, në bazën ilegale të Partisë Komuniste Shqiptare u vra Bajram Tushi, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Hero i Popullit. Lindi në fshatin Vermik të Vlorës, në vitin 1922. Nxënës i Shkollës Tregtare të Vlorës, u hodh në veprimtari antifashiste. Pas themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare përqafoi vijën e saj dhe u përfshi në radhët e Rinisë Komuniste të shkollës (1942). Mori pjesë në aksione të ndryshme kundër armikut. Shtëpinë e vet e ktheu në një bazë të Partisë Komuniste Shqiptare. U përjashtua nga shkolla për veprimtari antifashiste dhe u detyrua të hidhej në ilegalitet. Natën e 18 tetorit u gjend i rrethuar nga forca fashiste në bazën ilegale. Bajram Tushi vendosi të çante rrethimin dhe përmes zjarrit të dendur të armikut, u sul kundër fashistëve me revolverë e bomba dore, ku mbeti i vrarë. Akti i tij pati jehonë jo vetëm në Vlorë, por në gjithë Shqipërinë. (Në fotografi: Bajram Tushi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2768.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




