U nda nga jeta Foqion Postoli, shkrimtar dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare. Lindi në Korçë, në vitin 1889. Në vendlindje mori mësimet e para; studioi dy vjet për tregti në Stamboll. Më pas mërgoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Masaçusets), ku zhvilloi një veprimtari të gjallë patriotike si sekretar i një dege të Federatës “Vatra” dhe bashkëpunoi me gazetën “Dielli”. Më 1921 u kthye në Shqipëri dhe ndihmoi për krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale. Krijimtaria e Foqion Postolit luajti rol të rëndësishëm në formimin e romanit shqiptar. Në faqet e gazetës “Dielli” botoi si nënfletë romanet “Për mbrojtjen e atdheut” (1919) dhe “Lulja e kujtimit” (1922), të cilat më pas qarkulluan si libra më vete. Veprat e Foqion Postolit i marrin ngjarjet nga lufta për pavarësi. Në themel të subjekteve të tyre është zakonisht historia e dashurisë së dy të rinjve, që pengohet prej pabarazisë shoqërore. (Në fotografi: Foqion Postoli)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2076.
Fotografia: © Shoqëria Shqiptare në Irlandë
Përpunim grafik: AHCF




