U formua “Divizioni IV Sulmues i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Në të u rreshtuan: Brigada XV Sulmuese, Brigada XVII Sulmuese, Brigada XVIII Sulmuese. Në kuadrin e mësymjes së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare për çlirimin e plotë të Shqipërisë, njësitë e këtij divizioni u caktuan të vepronin në Shqipërinë e Mesme e të Veriut. Brigada XV Sulmuese mori detyrë të godiste autokolonat gjermane në rrugën Tiranë-Elbasan-Librazhd-Dibër dhe të çlironte Elbasanin; Brigada XVII Sulmuese, duke u vendosur në zonën Dibër-Peshkopi-Mat mori detyrë të ndihmonte në këto zona në forcimin e pushtetit të ri; Brigada XVIII Sulmuese mori detyrë të ndërpriste rrugën Kukës-Prizren dhe të çlironte qytetin e Kukësit. Këto detyra, njësitë e Divizionit IV Sulmues i kryen me sukses. Më 14 dhjetor 1944, në Divizionin IV Sulmues u rreshtuan: Brigada IV Sulmuese, Brigada XI Sulmuese dhe Brigada XXIV Sulmuese, që u vendosën në rajonin e Tiranës dhe në atë të Durrësit. Shtabi i Divizionit IV Sulmues drejtohej nga komisar Pëllumb Dishnica. (Në fotografi: Partizanë të Divizionit IV Sulmues.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 493.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




