U formua Komiteti i Janinës, organ kombëtar shqiptar me qendër në Janinë. U formua në periudhën e Krizës Lindore të vitit 1877, nën kryesinë e Abdyl Frashërit. Duke qenë i bindur se Shqipëria do të copëtohej dhe shqiptarët rrezikoheshin të zhdukeshin si komb në qoftë se gjendja e saj në kuadrin e Perandorisë Osmane nuk do të ndryshohej, Komiteti i Janinës vendosi të merrte masat për t’i dalë para këtij rreziku. Ai i paraqiti një memorandum qeverisë së Stambollit, në të cilin i tërhiqte vëmendjen Portës së Lartë mbi gjendjen e keqe të Shqipërisë dhe shtronte kërkesën për bashkimin e gjithë krahinave të banuara prej shqiptarëve në një vilajet të vetëm, me një administratë të përbërë prej nëpunësish shqiptarë, me shkolla dhe gjykata në gjuhën shqipe etj. Komiteti i Janinës shtroi idenë e kryengritjes çlirimtare kundërosmane për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Për këtë qellim Komiteti i Janinës hyri në lidhje me oficerët shqiptarë që shërbenin në garnizonet osmane të vendit, të cilët shprehën gatishmërinë për të marrë pjesë në kryengritjen e armatosur. Nga ana tjetër, me qëllim që të siguronte një mbështetje në arenën ndërkombëtare, Komiteti i Janinës u orvat të lidhte një aleancë ushtarake me qeverinë greke, në bazë të së cilës pala shqiptare përkrahte çlirimin nga shteti grek të tokave greke të Tesalisë, Maqedonisë dhe Trakës, ndërsa qeveria e Athinës do të mbështeste formimin e shtetit të pavarur shqiptar. Bisedat u zhvilluan në mënyrë të fshehtë në Janinë (korrik 1877) midis Abdyl Frashërit dhe një përfaqësuesi të Ministrisë së Jashtme greke, por nuk u arrit asnjë përfundim, për shkak se qeveria greke nuk e përkrahu idenë e shtetit të pavarur shqiptar dhe nuk hoqi dorë nga synimet e saj pushtuese në Shqipërinë e Jugut. (Në fotografi: Pamje e qytetit të Janinës.)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2002, faqe 139–142.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Janina
Përpunim grafik: AHCF




