Në Principatën e Kastriotëve, mendohet se lindi Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Heroi Kombëtar i shqiptarëve, strateg e burrë shteti i madh, që udhëhoqi luftën për liri e pavarësi kundër pushtimit osman, për bashkimin politik-shtetëror të popullit shqiptar. Ishte fëmija i parafundit në familjen me shumë fëmijë të Gjonit e të Vojsavës. Këta kishin katër djem (Stanishën, Reposhin, Konstandinin e Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën, Vlajkën e Mamicën). Gjergj Kastrioti-Skënderbeu personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij: luftën më se njëshekullore të tyre kundër vërshimit osman (fundi i shekullit XIV – fillimi i shekullit XVI) për mbrojtjen e tokës, pasurisë e të lirisë. Nën udhëheqjen e tij, lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë lartë e të organizuar dhe shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit në forcimin e vetëdijes kombëtare të tyre. Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit e në përgjithësi të opinionit publik evropian, të cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj. Këtu e ka burimin ajo literaturë e shumëllojtë dhe shumëgjuhëshe, që i është kushtuar figurës së këtij heroi, në të katër anët e botës. Kur vërshimi osman qëndronte si një shpatë mbi Evropën Qendrore, kur në Gadishullin e Ballkanit shpërthyen lëvizjet për çlirimin kombëtar etj., historianët, shkrimtarët e poetët e përdornin figurën e heroit shqiptar si flamur frymëzues për mobilizimin e popujve të tyre në luftë për liri. Dëshmi e përhershme e vlerësimit dhe e respektit të thellë që kanë popujt e tjerë për Skënderbeun, krahas botimeve të shumta për të, janë sheshet dhe rrugët e Romës, të Parisit, të Brukselit, të Gjenevës dhe të qyteteve të tjera të vendeve të ndryshme, ku janë vendosur monumente e buste të tij, ose që mbajnë emrin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. (Në fotografi: Portreti i Skënderbeut në veprën e M. Barletit “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. I, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2002, faqe 392–493.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




