Impresum

info@albanianheritage.al

19.5 C
Tirana
E hënë, 18 Maj, 2026

Gjon Serreqi

Lexo ngjarje:

Në Ferizaj lindi Gjon Serreqi, ideolog dhe njëri nga themeluesit e Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare (LNDSH), luftëtar për çlirim dhe bashkim kombëtar. Kreu seminarin ipeshkvnor në Prizren, më pas filloi studimet e larta për filozofi në Zagreb (1941), që i vazhdoi në Pizë (1941) dhe Firence të Italisë (1941–1943). Më 1943 u emërua kryetar komune në Babush të Ferizajt. Në maj të vitit 1944 u arrestua nga Gestapoja dhe u dërgua në kampin e Prishtinës, e më pas në një kamp të Vjenës, nga ku u lirua në maj të vitit 1945. Pas kthimit nga internimi, u emërua mësimdhënës në gjimnazin e Prishtinës (qershor 1945). Nuk u pajtua me rikthimin e pushtetit të Jugosllavisë në Kosovë dhe as me politikën që zbatonte pushteti jugosllav ndaj shqiptarëve. Në shtator të vitit 1945 iu përkushtua plotësisht Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare, duke u bërë një nga figurat qendrore të saj në Rrafshin e Kosovës, të Anamoravës dhe të Karadakut. Në prill të vitit 1946, për t’i shpëtuar burgosjes, u detyrua të kalojë në ilegalitet, duke iu bashkuar njësiteve të armatosura, që vepronin në terren. Me insistimin e tij u formua Komiteti i Rinisë së Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare për rrethin e Ferizajt. Ishte një ndër organizatorët dhe ideatorët e Kongresit V të LNDSH-së, që u mbajt në Blinajë të Lipjanit, që njihet si Kongresi i Lipovicës (25 korrik 1946). Më pas, për t’iu shpëtuar ndjekjeve të reparteve të sigurimi të shtetit jugosllav, kaloi në viset e Ferizajt, në Kopilakë, në Luboten dhe më pas në rajonin e Anamoravës. Në shkurt të vitit 1947 u arrestua, u dënua me vdekje nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë dhe u pushkatua. (Në fotografi: Gjon Serreqi)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1495–1496.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Gjon_Serre%C3%A7i

Përpunim grafik: AHCF

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Qamil Grezda

Në Gjakovë lindi Qamil Grezda, piktor.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img