Lindi në Shkodër Guljelm Radoja, aktor i teatrit dhe i kinematografisë, Artist i merituar. Pas studimeve të larta më 1967, punoi një vit në Librazhd dhe tre vjet si regjisor në Estradën Profesioniste të Fierit. Në vitin 1971 u emërua aktor në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit deri në vitin 1996; nga ky vit e në vazhdim është aktor në Teatrin Kombëtar si dhe pedagog i aktrimit në Akademinë e Arteve. Në teatër, si nga dramaturgjia shqipe, ashtu dhe nga dramaturgjia botërore, ka luajtur personazhe të kahut pozitiv, rëndom të natyrës heroiko-romantike, duke krijuar një model të tijin, të pëlqyer prej publikut. Guljem Radoja është bërë i dashur për publikun veçanërisht në kinematografi, ku ka krijuar 35 role. Spikati me rolin e fotografit në filmin “Shtigje lufte”, 1974, për të shkuar më i qartë drejt një karriere të sigurt me rolin e tenente Gurabardhit te “Në fillim të verës”, 1975. Guljem Radoja është aktor me hir, i ëmbël, i përmbajtur në fjalë e gjeste; ka një portret tërheqës që ngjall simpati dhe u shkon për shtat roleve të njerëzve fisnikë; dallon për logjikën e fjalës, e cila gërshetohet rëndom me një vështrim herë të çiltër, herë plot nënkuptime, ku spikat qartësia e mendimit dhe qetësia e brendshme. U nda nga jeta në vitin 2021. (Në fotografi: Guljelm Radoja)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://albanian.cri.cn/culture/more/3104/20210510/660791.html
Përpunim grafik: AHCF




