U nda nga jeta Hysen Pelinku, këngëtar, Artist i merituar. Lindi në Shkodër, në vitin 1921. Në vitet 1941–1942 ndoqi studimet për kanto në konservatorin “Rossini” në Pesaro (Itali). Mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Këngëtar në Filarmoninë Shqiptare që nga themelimi i saj dhe më pas në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku luajti rolin kryesor të Mullisit në operën “Rusalka”, opera e parë e vënë në skenë në Shqipëri. Ka luajtur role kryesore në operat “Traviata”, “Berberi i Seviljes”, “Karmen”, “Bohema”, “Mrika” etj. Ka marrë pjesë në koncerte të ndryshme edhe jashtë vendit (Poloni, Çeki, Bullgari, Kinë etj.). Kishte zë të ngrohtë, timbër joshës, kompaktësi ritmike dhe hijeshi skenike. Njihet edhe si interpretues i këngëve popullore shqiptare. (Në fotografi: Hysen Pelinku)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1978.
Fotografia: © Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tiranë.
Përpunim grafik: AHCF




