Në fshatin Gradec në rrethinën e Tetovës lindi Mehmet Hasan pashë Derralla, udhëheqës ushtarak dhe Ministër i Parë i Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit. Mësimet e para i mori në vendlindje, për të vazhduar më pas shkollën e mesme në gjimnazin e Manastirit. Studimet i vazhdoi në Shkollën Ushtarake në Stamboll. Pas përfundimit të studimeve, ushtroi një varg funksionesh në ushtrinë osmane. Ndërkohë, bëri karrierë edhe në xhandarmërinë osmane. Si profesionist i kësaj fushe u gradua nga qeveria e Stambollit dhe u dërgua në misione të ndryshme ushtarake në krahinat e Perandorisë. Në cilësinë e ushtarakut shërbeu edhe në vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit. Që herët ra në kontakt me udhëheqës të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në moshë të re mori pjesë në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) dhe më pas ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Lidhjes së Pejës, më 1899. Gjithashtu ishte pjesëmarrës aktiv dhe udhëheqës i kryengritjeve të viteve 1908–1912. Mori pjesë në Kuvendin e Pavarësisë në Vlorë (1912). Në qeverinë kombëtare të Ismail Qemalit, Mehmet Derralla u emërua ministër i Luftës. Për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm në mbështetje të lëvizjes kombëtare shqiptare, u ndoq nga qeveria e Stambollit dhe, pas vitit 1916, edhe nga Serbia dhe Mali i Zi. U vra në Podgoricë, më 1918. (Në fotografi: Mehmet Derralla)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 315.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Mehmet_Pash%C3%AB_Deralla
Përpunim grafik: AHCF




