Në Athinë doli numri i parë i gazetës “I foni tis Alvanias” (“Zëri i Shqipërisë”, 1879–1880), gazetë e përjavshme politike, shoqërore e kulturore, që botohej në greqisht e pjesërisht shqip. Vijoi deri në numrin 40 (1880). E drejtonte Anastas Kullurioti. Ishte nga organet e para të shtypit shqiptar të Rilindjes Kombëtare. Luftoi për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar, për zgjimin kombëtar dhe forcimin e vetëdijes kombëtare, për autonominë deri në çlirimin e plotë dhe për tërësinë tokësore të Shqipërisë. Trajtoi dhe çështje të gjuhës shqipe, të shkollës e të kulturës shqiptare. (Në fotografi: Faqe e parë e gazetës “I foni tis Alvanias”.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 969.
Fotografia: © https://www.wikiwand.com/sq/Z%C3%ABri_i_Shqip%C3%ABris%C3%AB_%28gazet%C3%AB_greqisht%29
Përpunim grafik: AHCF




