Lindi në Korçë Ruzhdi Pulaha, shkrimtar, dramaturg i mirënjohur, skenarist. Në vendlindje mbaroi gjimnazin më 1960. Studimet e larta i kreu në Fakultetin Histori-Filologji, më 1964. Punoi si redaktor e më pas si përgjegjës i redaksisë së kulturës në radio “Tirana”, deri më 1975, kur për “qëndrime liberale” të shprehura në romanin “Rruga Budi 723” dhe në komedinë “Zonja nga qyteti”, të cilën Teatri Popullor nuk pranoi ta vinte në skenë, ai u transferua në Pogradec, ku punoi si arsimtar dhe libretist i estradës së qytetit. Suksesi i bujshëm i po asaj komedie, vënë në skenë nga trupa e teatrit profesionist të Korçës solli më vonë rikthimin në Tiranë dhe emërimin e tij në vitin 1979 si dramaturg pranë Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar), ku krijoi vijimisht 15 drama e komedi të suksesshme. Në vitet 1992–1996 u zgjodh deputet i Kuvendit Popullor, ku ka drejtuar Komisionin Parlamentar të Kulturës. Nga dhjetori i vitit 1999 punoi si redaktor i programit të përbashkët të BBC-së dhe radio “Tiranës” për radio-novelat “Rruga me pisha”. Prej vitit 1995 bashkëpunon kryesisht me Teatrin Kombëtar dhe “A. Z. Çajupi” të Korçës, në skenat e të cilëve janë vënë në skenë mbi 20 drama e komedi, shumica e tyre të kthyera në teledrama. Kuraja qytetare, antikonformizmi që e ka karakterizuar në krijimtari e bënë atë një autor të parapëlqyer për dramat, komeditë dhe skenarët që përpiqen të hapin shtigje të reja për dramaturgjinë dhe filmin shqiptar. (Në fotografi: Ruzhdi Pulaha)
Teksti: Viktor Gjika
Fotografia: © https://www.facebook.com/photo/?fbid=10157043514367121&set=pcb.10157043514577121
Përpunim grafik: AHCF




