Në Shkodër lindi Simon Rrota, piktor, Piktor i merituar. Në vendlindje mori dhe mësimet e para për pikturë nga Kolë Idromeno. Gjatë viteve 1910–1915 studioi në Akademinë e Arteve të Bukura në Milano. Pas kthimit në atdhe punoi në fillim si fotograf në Fier dhe Lushnjë, pastaj dekorator skenash pranë shoqërisë artistike “Bogdani” dhe “Rozafa” në Shkodër e më pas mësues vizatimi në gjimnazin e Shkodrës. Krijimtaria e tij përfshin kompozime, portrete, peizazhe e vizatime me karbon. Me temë historike është tabloja “Beteja e Skënderbeut” (1916). Trajtoi motive të jetës së përditshme dhe etnografike (“Te pusi i fshatit”, “Portë në Shkodër”, “Përgatitja e drekës”), duke dhënë koloritin e kostumeve popullore të zonës së Shkodrës. Veprat më të mira (44 punime) ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe në Galerinë e Arteve të Shkodrës. U nda nga jeta në vitin 1961. (Në fotografi: Vepra e Rrotës “Te pusi i fshatit”, 1934.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2286.
Fotografia: © http://www.albanianart.net/painting/rrota/
Përpunim grafik: AHCF




