Lindi në Tiranë Sokol Angjeli, aktor. Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve, më 1976. Filloi punë si aktor në Teatrin Popullor. Më 1986 kreu një kurs njëvjeçar për skenar dhe regjisurë në Institutin e Lartë të Arteve. Aktrimi i tij priret më së shumti nga gjedhet e humorit, satirës dhe komedisë, gjer edhe me parapëlqimet ndaj groteskut, sido që jo rrallë ka luajtur edhe role të natyrës dramatike e psikologjike, ku shihet një prani e brendshme e ndjenjës së drejtpërdrejtë. Ka një dinamizëm të shfaqshëm edhe fizikisht, me shpërthime të befta. Përdor lirisht sarkazmin, përtalljen, elementet e zmadhimit, por të shkrira në një sjellje e veprim të besueshëm. Ka realizuar disa projekte e bashkëpunime me televizionet, ku ka kryer rolin e regjisorit, recituesit, aktorit dhe konferencierit. (Në fotografi: Sokol Angjeli)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://www.kinematografia-shqiptare-sporti.com/profil-i-aktorit-sokol-angjeli/
Përpunim grafik: AHCF




