Impresum

info@albanianheritage.al

18.5 C
Tirana
E hënë, 4 Maj, 2026

Jakov Xoxa

Lexo ngjarje:

Më 15 prill 1923 në Fier lindi Jakov Xoxa, shkrimtar. Në vendlindje filloi shkollimin, që e vijoi më pas në Vlorë, Kavajë, Berat, duke ndjekur transferimet e të atit si magazinier kripe. Ndoqi Liceun Kombëtar (francez) të Korçës e më pas Normalen e Elbasanit, që e ndërpreu për shkak të luftës. Mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare si anëtar i njësitit gueril të Fierit, më pas partizan dhe redaktor i gazetës antifashiste “Përpjekja e lirisë” (Vlorë). Të kësaj kohe janë dhe krijimet e tij të para letrare. Pas çlirimit përfundoi shkollën e mesme në Tiranë dhe kreu studimet e larta për letërsi franceze në Universitetin e Sofjes (1951). Filloi punën në seksionin e gjuhës e të letërsisë në Institutin e Shkencave, por më pas kaloi në gazetën “Zëri i rinisë” dhe pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik dhe në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, që me themelimin e tij. Nga fundi i viteve ‘60 ishte shkrimtar në krijimtari të lirë. Jakov Xoxa nisi krijimin e një pentalogjie romanesh, nëpërmjet së cilës do të njëmendësohej artistikisht jeta shqiptare në kompleksitetin e shfaqjeve të saj prej viteve ‘30 të shekullit XX deri në bashkëkohësi. Sprova e parë dhe më e shquar e këtij projekti, ndër tri që Jakov Xoxa mundi të realizojë, “Lumi i vdekur” në katër vëllime (1961, 1965, 1967, 1974), njohu një sukses të menjëhershëm dhe u radhit nga kritika e kohës ndër veprat më të mëdha të letërsisë shqipe. I vlerësuar si roman social, psikologjik dhe etik, “Lumi i vdekur”, nëpërmjet subjektit, që shtillet në vitet 1938–1939 rreth kalvarit jetësor të familjeve myzeqare e familjeve kosovare të shpërngulura, ndriçon me një realizëm tronditës dramën e fshatarësisë shqiptare të asaj kohe. Autor i disa prej veprave më të vëllimshme të letërsisë shqiptare, Jakov Xoxa e plotësoi tipologjinë e saj me romanin realist me një shtrirjeje të gjerë epike. I pajisur me një fuqi të madhe tregimtare, Jakov Xoxa ka aftësinë të rrëmbejë e të mbajë gjallë vëmendjen e lexuesit dhe të sigurojë bindjen e tij në vërtetësinë e asaj që kumton. Me aftësi të veçanta në modelimin e karaktereve, ai ka mundur të krijojë një galeri të tërë personazhesh të spikatura. Jakov Xoxa ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë dhe Urdhrin “Nderi i Kombit”. U nda nga jeta në Tiranë, më 1979. (Në fotografi: Jakov Xoxa)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2937–2938.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Jakov_Xoxa

Përpunim grafik: AHCF

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Michele Bulmetti

U nda nga jeta at Mikele Bulmeti (it. Michele Bulmetti), misionar arbëresh.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img