Në fshatin Kaskaveli të Tebës (Greqi) lindi Aristidh Kola, studiues dhe veprimtar shoqëror arvanitas, jurist. Kreu shkollën e mesme në Tebë dhe studimet e larta për drejtësi në Universitetin e Athinës (1968). Punoi si avokat në Athinë, deri më 1985. Më pas iu kushtua tërësisht studimeve dhe gjallërimit të veprimtarive kulturore, shkencore e botuese për arvanitasit. Në atë vit u zgjodh kryetar i Lidhjes së Arvanitasve. Aristidh Kola krijoi Qendrën e Studimeve Pellazge dhe Qendrën e Kërkimeve Arvanitase (1985), si dhe shtëpinë e vet botuese “Thamiris” (nga shqipja “e tha mirë”). Botoi revistën kulturore “Besa” (1983) dhe më pas “Arvanon” (1998). Më 1985, me bashkëpunëtorët e tij organizoi “Festivalin e parë të këngës arvanitase”. Librat e tij më të njohur janë përkthyer e botuar shqip: “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve” (1983), i cili është ribotuar pesë herë (shqip, 2002); “Gjuha e harruar e perëndive” (1989, shqip 2003); “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit” (1995, shqip 1998); “Fjalori krahasues i gjuhës arvanitase” (1995). Aristidh Kola ndoqi tezën e prejardhjes pellazgjike të shqiptarëve e të gjuhës shqipe dhe u përpoq të sjellë argumente e dëshmi të reja për këtë. Ai trajtoi edhe rolin e ndihmesën e rëndësishme të arvanitasve në historinë e Greqisë, sidomos në luftën e saj për pavarësi. Në ditët e fushatës së bombardimeve ajrore të NATO-s mbi Serbinë, Aristidh Kola iu kundërvu mediave greke që mbanin anën e Sllobodan Millosheviçit. Për këtë u akuzua si agjent i NATO-s dhe i Shqipërisë, madje u ndëshkua ligjërisht, duke mos u lejuar të dilte jashtë Greqisë. Me artikujt e tij në gazeta dhe me debatet në televizione private ka mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Erdhi dy herë në Shqipëri (1984, 1995) për të njohur vendin e të parëve. Ka pasur lidhje me personalitete të shkencës, kulturës e të artit në Shqipëri dhe në Kosovë. Aristidh Kola dekorua me Urdhrin “Ismail Qemali” të Republikës së Shqipërisë (1995). U nda nga jeta në Athinë, në vitin 2000. (Në fotografi: Aristidh Kola)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1106.
Fotografia: © Traboini K., arkivi vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




