Në Marjan të Oparit (Korçë) lindi Milto Sotir Gurra, shkrimtar e publicist. Mësimet e para i kreu në Korçë, kurse të mesmet në Odesë (Rusi). Një pjesë të jetës e kaloi jashtë (Rusi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bullgari). Mori pjesë në lëvizjen patriotike, ishte delegat në Kongresin e Lushnjës (1920). Botoi revistat “Shkëndia”, “Zekthi” (1922) dhe “Mituria” (1944) dhe bashkëpunoi në organe të ndryshme të kohës. Shkroi veprat “Rrëfenja” (1911), “Goca e malësisë” (1912), “Plagët e kurbetit” (1938) etj. Ishte ndër lëvruesit e parë të tregimit. Në krijimin e tij vendin kryesor e zënë përfaqësuesit e shtresave të varfra, jeta e tyre plot halle. Prirja realiste, gërshetuar herë-herë me nota sentimentale, thjeshtësia e rrëfimit e thurja naive e veprimit janë tiparet e krijimtarisë së Milto Gurrës. Ishte ndër të parët që u mor me përkthime nga letërsia ruse (A. Pushkin, I. Turgeniev, A. Çehov, M. Gorki etj.) Një pjesë e shkrimeve u përmblodhën e u ribotuan në vëllimet “Kur rilindej Shqipëria” (1958), “Plaku i motshëm” (1959), “Tregime të zgjedhura” 1972), “Dashuria e Matildës” (2003) dhe në përmbledhjen poetike “Dëshirë” (1971). U nda nga jeta në Tiranëk më 1972. (Në fotografi: Milto Sotir Gurra)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 803.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Milto_Sotir_Gurra
Përpunim grafik: AHCF




