Kongresi i Parë Antifashist Nacionalçlirimtar

Lexo ngjarje:

Në qytetin e çliruar të Përmetit zhvilloi punimet “Kongresi i Parë Antifashist Nacionalçlirimtar”. U thirr në bazë të vendimit të marrë nga Kryesia e Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar, më 15 prill 1944. Në punimet e tij morën pjesë 186 delegatë, të zgjedhur nga populli në zonat e çliruara të vendit, në zonat nën kontrollin e armikut dhe në repartet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Kongresi përfaqëson një nga ngjarjet e mëdha të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në raportin e në vendimet e kongresit u pasqyrua vija e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar për bashkimin e popullit pa dallim bindjesh politike e ideologjike, përkatësish klasore, fetare e krahinore, për organizimin e tij në luftën e armatosur, për zhvillimin e kësaj lufte deri në çlirimin e plotë të vendit dhe vendosjen e rendit demokratik në Shqipëri, për forcimin e bashkëpunimit me vendet aleate të Koalicionit Antifashist: Anglinë, BRSS dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me vendet pjesëmarrëse në Rezistencën Antifashiste Evropiane, në mënyrë të veçantë me vendet fqinje të Ballkanit, të përfshirë në këtë rezistencë. Kongresi zgjodhi Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ) të përbërë nga 121 anëtarë, dhe përcaktoi detyrat e tij, si organi më i lartë i shtetit, si trupi kryesor ligjvënës dhe ekzekutiv i tij, si përfaqësuesi i vetëm i sovranitetit të popullit. Këshilli zgjodhi gjithashtu Komitetin Antifashist, me atributet e një qeverie të përkohshme; kryetar i tij dhe njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i forcave të armatosura u emërua Enver Hoxha. Këshilli i Përgjithshëm Antifashist mori një varg vendimesh: të ndërtohet Shqipëria e re demokratike popullore sipas vullnetit të popullit, të ndalohet hyrja e Ahmet Zogut në Shqipëri, meqenëse forma e regjimit politik do të vendosej pas çlirimit nga vetë populli me vullnetin e tij të lirë; të mos njihej asnjë qeveri tjetër e krijuar brenda ose jashtë vendit, në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar; të vazhdohej me vendosmëri lufta kundër pushtuesit nazist gjerman. Kongresi miratoi vijën e ndjekur nga Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe direktivat e lëshuara prej tij, si dhe udhëzimet e lëshuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në bazë të orientimeve të kongresit, KANÇ-i, duke e shpallur veten trupin kryesor legjislativ dhe ekzekutiv, mori vendimet përkatëse për këto çështje, duke u dhënë atyre formën ligjore. (Në fotografi: Vendimi i Kongresit të Parë Antifashist Nacionalçlirimtar, 1944.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1259–1260.

Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Agron Llaka

Lindi në Memaliaj Agron Llaka, aktor i humorit.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img