Impresum

info@albanianheritage.al

18.5 C
Tirana
E mërkurë, 6 Maj, 2026

Fadil Hoxha

Lexo ngjarje:

Në Gjakovë lindi Fadil Hoxha, veprimtar politik i Kosovës dhe i Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, pjesëmarrës dhe drejtues i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Kosovë, Hero i Popullit (Jugosllavi). Në vitin 1940 kreu Shkollën Normale të Elbasanit, ku u njoh për herë të parë me idetë komuniste. U pranua në radhët e Grupit Komunist të Shkodrës (1938). Në vitin 1939 u dërgua në Kosovë për të vendosur lidhje me Komitetin Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit. Pas rënies së Mbretërisë Jugosllave (prill 1941) dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, u rikthye në Kosovë, ku punoi si mësues në Gjakovë dhe u bë një nga organizatorët dhe udhëheqësit më të njohur të Lëvizjes Antifashiste. Deri në mesin e vitit 1942, kreu detyrat e sekretarit të Komitetit të Vendit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Gjakovën dhe të anëtarit të Byrosë së Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovën. Në shtator të vitit 1942, me krijimin e çetës “Zenel Hajdini”, e para me partizanë shqiptarë, u ngarkua me detyrën e sekretarit politik dhe më vonë si komandant i saj. Në tetor të vitit 1942 u emërua komandant i Shtabit të Përkohshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë për Kosovën e më pas i Shtabit Kryesor të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë për Kosovën dhe Metohinë; qëndroi në këtë detyrë deri në suprimimin e Shtabit Kryesor të Kosovës dhe në shndërrimin e tij në shtab operativ (shtator 1944), në të cilin u emërua zv.komandant. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore kreu detyra të rëndësishme për drejtimin e organizatës së partisë dhe të organeve të pushtetit në Krahinë, në Republikën e Serbisë dhe në Federatë. Në fillim të vitit 1945, me urdhër të Shtabit Suprem të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, në Kosovë u vendos Pushteti Ushtarak dhe Fadil Hoxha u ngarkua me detyrën e zv.komandantit të tij. Më pas pati detyra të larta, si: kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë (11.07.1945–20.02.1953; 24.06.1967–07.05.1969), anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Jugosllavisë, anëtar i Byrosë së Komitetit krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë për Kosovën e Metohinë, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë për Serbinë, anëtar i Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë për Serbinë dhe anëtar i kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë dhe i kryesisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Shoqata e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ku bënte pjesë dhe Fadil Hoxha, përkrahu zyrtarisht luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U nda nga jeta në Prishtinë, në vitin 2001. (Në fotografi: Fadil Hoxha)

Teksti: Fjalor Enciklopedik Shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 959.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Fadil_Hoxha

Përpunim grafik: ACHF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Mehmet Delia

Në senatoriumin e Barit (Itali), u nda nga jeta Mehmet Delia (i njohur edhe si Mehmeti i Vogël, 1898–1946), luftëtar në lëvizjen kundër pushtimit serb dhe për bashkim kombëtar, pjesëmarrës në lëvizjen demokratike në viteve ’20 të shekulli XX.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img