Lufta e Reçit

Lexo ngjarje:

U zhvillua “Lufta e Reçit”, përpjekje e ashpër me armë kundër forcave pushtuese italiane në qarkun e Shkodrës. Fashistët italianë, për të spastruar zonën e Mbishkodrës, ku rritej e forcohej ndikimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ndërmorën një operacion ushtarak me rreth 1200 ushtarë, të përforcuar me artileri dhe të mbështetur me aviacion. Mësymja armike filloi mëngjesin e 30 gushtit. Përballë armikut ndodheshin forcat e çetës së parë (të Reçit) të batalionit partizan “Perlat Rexhepi”, që kishin zënë qysh më përpara pozicionin sundues, duke formuar njëfarë “xhepi” me maskim mjaft të mirë. Luftime të ashpra u zhvilluan në të gjithë frontin, por veçanërisht në qafën e Zhbatrit, ku raporti i forcave ishte mjaft i madh në favor të armikut. Me ardhjen e çetës së dytë nga Grizha, u dha një kundërsulm i befasishëm dhe i fuqishëm nga dy drejtime, duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme forcave italiane, që pas kësaj u tërhoqën për në fushën e Postopojës. Në ditën e dytë, forcat partizane, pasi kishin bërë riorganizim, të mbështetura dhe nga forcat nacionaliste të Shkodrës, nga shumë vullnetarë fshatarë edhe të çetës partizane të Mirditës, kaluan në sulm të befasishëm kundër armikut përballë, në krahë e në shpinë, e thyen atë përfundimisht, duke e detyruar të tërhiqej për në Shkodër. Armiku la në fushën e luftimeve rreth 114 të vrarë e të plagosur dhe mjaft materiale luftarake. Nga forcat çlirimtare ranë 2 dëshmorë dhe 2 luftëtarë u plagosën. Thyerja e forcave italiane në Reç forcoi besimin e popullit të zonës dhe të gjithë Veriut në luftën kundër fashizmit dhe ndikoi shumë për zgjerimin e kësaj lufte edhe në ato anë. (Në fotografi: Memorial kushtuar Luftës së Reçit, Malësia e Madhe.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1552.

Fotografia: © https://www.facebook.com/photo/?fbid=727842151392483&set=pcb.

Përpunim grafik: AHF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Petrika Riza

Lindi në fshatin Bulgarec të rrethit të Korçës Petrika Riza, aktor.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img