Në Horën e Arbëreshëve (it. Piana degli Albanesi) në Sicili, lindi Dhimitër Kamarda (it. Demetrio Camarda), gjuhëtar e filolog arbëresh, klerik. Studioi për prift në Romë. Pasi u shugurua në ritin bizantin më 1844, banoi në Napoli e në fshatin e lindjes deri më 1848, kur u dëbua nga Mbretëria e Dy Sicilive prej autoriteteve burbone, me akuzën se kishte bashkëpunuar me liberalët. Në fillim vajti në Romë e pastaj në manastirin benediktian të Çezenës. Më 1852, u emërua mësues në shkollën e mesme në Livorno, ku edhe kaloi pjesën tjetër të jetës si famullitar. Dhimitër Kamarda ishte ndër udhëheqësit kulturorë të arbëreshëve në shekullin e nëntëmbëdhjetë, botimet e të cilëve në gjuhën dhe letërsinë shqipe frymëzuan jo vetëm shqiptarët në Itali, por i dhanë hov edhe lëvizjes së Rilindjes në atdhe. Kamarda përmendet për veprën e tij “Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese”, Livorno, 1864 (“Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe”), një nga të parat vepra të filologjisë diakronike shqiptare, ku ai u orvat të provonte afrinë e gjuhës shqipe me greqishten. Kjo vepër u pasua nga “Appendice al saggio di grammatologia comparata”, Prato, 1866 (“Shtojcë për sprovën e gramatologjisë krahasuese”), një përmbledhje këngësh popullore arbëreshe. Kamarda shkroi edhe një gramatikë të gjuhës shqipe dhe botoi një libër me poezi shqiptare kushtuar Dora d’Istrias, me titullin “A Dora d’Istria gli Albanesi”, Livorno, 1870 (“Dora d’Istrias, shqiptarët”), që përmbante vjersha nga Preng Doçi, Zef Jubani, Thimi Mitko, Jeronim de Rada, Françesk Anton Santori, Zef Serembe etj. U nda nga jeta në Livorno të Italisë, në vitin 1882. (Në fotografi: Dhimitër Kamarda)
Teksti: Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, “Dukagjini”, Pejë, 2001, faqe 142–143.
Fotografia: © https://www.shqiperia.com/blog/mendimi-dhimiter-kamardes-mbi-gjuhen-shqipe-sipas-linguistit-italian-g-ascoli/
Përpunim grafik: AHCF




