Në spitalin e burgut të Tiranës u nda nga jeta Shefqet Peçi, pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, Hero i Popullit. Lindi në fshatin Picar të Kurveleshit, në vitin 1906. Mori pjesë në Luftën e Vlorës, më 1920. Pasi kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ndoqi shkollën e nënoficerëve dhe u emërua instruktor po në atë shkollë. Më 1931 u titullua oficer. Për veprimtari kundër regjimit të Zogut, u hoq nga ushtria dhe u burgos më 1935 e 1937. Mori pjesë në qëndresën popullore kundër agresionit fashist të 7 prillit 1939. U lidh ngushtë, që në fillim, me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe përqafoi vijën e Partisë Komuniste Shqiptare. Anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare në mars 1942. Për aftësi politike dhe ushtarake u ngarkua me funksione të rëndësishme komanduese në çeta e batalione partizane të Zonës I Operative Vlorë-Gjirokastër (1942–1943), komandant i Brigadës V Sulmuese (1944), zv.komandant i Divizionit I Sulmues (1944), komandant i shtabit të forcave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare për çlirimin e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit (1944), komandanti i Korpusit III Sulmues (1944). Pas çlirimit u caktua në funksione drejtuese me përgjegjësi në ushtri dhe në organet e larta të shtetit: komandant i Divizionit I të Ushtrisë Kombëtare, komandant i Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, ministër i Komunikacionit dhe më pas i Minierave, kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit, nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1970–1982), kryetar i Komitetit të Veteranëve të Luftës të Popullit Shqiptar (1983–1991). Shefqet Peçi ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe deputet në Kuvendin Popullor në të gjitha legjislaturat. U arrestua më 12 tetor 1995 dhe u nda nga jeta po atë muaj. (Në fotografi: Shefqet Peçi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1967.
Fotografia: Veteranët dhe Pasardhësit e Luftës ANÇ të Popullit Shqiptar.
Përpunim grafik: AHCF




