Sali Butka

Lexo ngjarje:

U nda nga jeta Sali Butka, veprimtar i lëvizjes për çlirim kombëtar dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit gjatë Rilindjes Kombëtare. Lindi në fshatin Butkë të Kolonjës, në vitin 1857. Që në moshë të re mori pjesë në lëvizjen kombëtare. Më 1905 u bë anëtar i Komitetit të Manastirit “Për lirinë e Shqipërisë”, më 1906–1908 organizoi dhe drejtoi çetat e armatosura patriotike në rrethin e Kolonjës. Pas Revolucionit Xhonturk të 1908-s, kryesoi Klubin Kombëtar të Kolonjës dhe më 1911 ngriti një çetë luftëtarësh të komanduar prej tij. Mori pjesë aktive në Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912 si drejtues i çetës së luftëtarëve kolonjarë dhe, në bashkëpunim me çetat e komanduara nga Themistokli Gërmenji, Spiro Bellkameni etj. çliroi Ersekën dhe hyri në Korçë. U vu në shërbim të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, e kryesuar nga Ismail Qemali. Në krye të forcave ushtarake të qeverisë së Ismail Qemalit, luftoi kundër pushtuesve grekë gjatë viteve 1913–1914. Në një nga këto luftime, në Nikolicë, u plagos rëndë në njërin sy. Vazhdoi veprimtarinë atdhetare edhe gjatë Luftës I Botërore. Më 1916, në krye të forcave të tij dhe në bashkëpunim me ato të Themistokli Gërmenjit kontribuoi në shpalljen prej komandës franceze të “Krahinës autonome të Korçës”. Më 1919, kur Korça e Kolonja rrezikoheshin përsëri që të shkëputeshin nga shteti shqiptar, Sali Butka u vu në krye të luftëtarëve të ardhur nga krahina të ndryshme të vendit dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Atdheut. Më 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, si delegat i Korçës, në vitin 1924 përkrahu Revolucionin e Qershorit dhe qeverinë e Fan S. Nolit. Sali Butka mbeti deri në fund të jetës kundërshtar i regjimit monarkist të Ahmet Zogut. Ka shkruar një varg vjershash me frymë atdhedashurie, të cilat u mblodhën dhe u botuan në vëllimin “Ndjenjat për Atdheun” (1920). (Në fotografi: Sali Butka)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 344–345.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Sali_Butka

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img