U hap Liceu Kombëtar i Korçës, e para shkollë e mesme e arsimit të përgjithshëm në Shqipëri. U hap me vendim të Këshillit Qeveritar të Krahinës “Autonome” të Korçës. Më 1921 mori emrin Liceu Kombëtar. Mësimet bëheshin frëngjisht, me përjashtim të lëndës së gjuhës shqipe. Mësuesit ishin francezë dhe shqiptarë. Shkolla ishte me nëntë vjet mësimi. Mësuesit shqiptarë e francezë paguheshin nga shteti shqiptar; shteti francez siguronte tekstet, mjetet mësimore dhe libra të tjerë për degët e ndryshme të shkencave. Diploma e Liceut Kombëtar njihej nga qeveria franceze, si e njëvlershme me ato të Francës. Deri në vitin 1938 liceun e kishin ndjekur rreth 600 nxënës (midis tyre 100 vajza). Drejtorë shqiptarë ishin: Sotir Papahristo në vitet 1925–1933, Pertef Pogoni 1933–1937, Kostaq Cipo në vitet 1937–1939. Nga drejtorët dhe mësuesit francezë përmenden: Andre Brezho (Andre Bregault), Ksavje de Kurvil (Xavje de Courvielle), Sen Zhëne (Saint Genez) etj. Në vitin 1933 kjo shkollë mori emrin Liceu Kombëtar i Korçës. Në vitin 1937, nga të 28 mësuesit e liceut, pesë ishin francezë. Në vitet e rezistencës antifashiste (1939–1944) ranë dëshmorë 54 ish-liceistë të Korçës. Pas Luftës II Botërore, Liceu Kombëtar mori emrin e ish-nxënësit dhe mësuesit të kësaj shkolle, Raqi Qirinxhi. (Në fotografi: Godina dhe nxënës në Liceun Kombëtar, 1922.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1507–1508.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




