Shpërtheu Lufta Italo-Greke (1940–1941), shpërtheu kur Italia fashiste sulmoi Greqinë nga territori i Shqipërisë së pushtuar. Si pretekst për shpërthimin e luftës shërbeu vrasja në Konispol, më 15 qershor 1940, e shqiptarit Daut Hoxha, nga fshati Dhrohomi i Çamërisë, që u krye nga një çetë e ardhur nga Greqia. Pas disa sukseseve të para, ushtria italiane u thye dhe u detyrua të tërhiqet nga tokat e pushtuara greke. Gjatë muajve dhjetor 1940 – prill 1941, lufta u zhvillua në tokën shqiptare. Më 4 prill 1941 Gjermania hitleriane sulmoi Greqinë nga territori bullgar dhe ushtria greke kapitulloi. Greqia u pushtua nga ushtritë italiane dhe gjermane. Populli shqiptar, megjithëse i pushtuar nga Italia fashiste, e sabotoi agresionin fashist kundër Greqisë dhe u përpoq të ndihmonte popullin grek në luftën e tij çlirimtare. Ushtarët shqiptarë që u dërguan me forcë në frontin grek, nuk pranuan të luftonin dhe dezertuan në masë. Sabotimet kundër makinës ushtarake fashiste u bënë edhe në prapavija. Por qeveria greke, nën pretekstin se Italia fashiste sulmoi Greqinë nga tokat shqiptare, duke e quajtur padrejtësisht Shqipërinë e pushtuar si pjesëmarrëse në këtë luftë, e shpalli në nëntor 1940 Shqipërinë si shtet armik dhe dekretoi “gjendjen e luftës” ndaj saj. Ky dekret absurd mbeti në fuqi edhe pas mbarimit të Luftës II Botërore. (Në fotografi: Sulmi italian 1940.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1554-1555.
Fotografia: © http://gazetashqiptare.al/2018/02/08/paskal-milo-lufta-italo-greke-fajtore-kuislinget-miq-te-musolinit-e-mercenaret-shqiptare/
Përpunim grafik: AHCF




