Lindi në Vlorë Arqile Nasho, aktor. Pas mbarimit të Institutit të Lartë të Arteve më 1967, filloi punë si aktor në Teatrin Profesionist të Vlorës dhe vijoi aty derisa doli në pension. Ka qenë aktor kryesor në këtë teatër duke interpretuar mbi 45 role, të shumtat role të para të formatit të heroit, të njeriut të mirë, të baballarëve të dashur, të shokëve të virtytshëm apo të tipave me mbartje dramatike, brejtje ndërgjegjeje, luhatje shpirtërore etj. Arqile Nasho është dalluar për një përjetim me thekse të forta emocionale, për shënjimet epiko-dramatike (që fitonte rëndom loja e tij), për plastikën e thyeshme e karakterizuese, për kalimet organike nga dramatikja te komikja, gazmorja dhe anasjelltas. Përdorte drejt planet e dyta, heshtjet emocionale si dhe kundërshtitë midis të thënës dhe të bërës (shprehjes së saj). Ka një zë të plotë e të ngrohtë. Teknika e mirë e të folurit skenik e ka ndihmuar për krijimin e nuancave dhe ngjyrimeve intonative të roleve, përputhur situatave emocionale. (Në fotografi: Arqile Nasho)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://www.facebook.com/profile/100063685144432/search/?q=Arqile%20Nasho
Përpunim grafik: AHCF




