Në mëngjesin e hershëm të 15 janarit të vitit 1999 forcat serbe sulmuan fshatin Reçak. Me forcat e ushtrisë dhe të policisë ishin bashkuar edhe civilë serbë të Shtimes, të Ferizajt dhe të Vitisë. Në fshat, përveç banorëve të përhershëm, ndodheshin edhe të strehuarit e fshatrave përreth. Policët dhe paramilitarët ishin futur me forcë nëpër shtëpitë e fshatit, i kishin nxjerrë jashtë banorët dhe disa syresh i kishin ekzekutuar nëpër oborret e shtëpive, në prezencë të familjarëve. Ndërkaq, një numër i fshatarëve ishin ekzekutuar në Kodrën e Bebushit, mbi fshatin Reçak. Në mesin e të ekzekutuarve kishte me pjesë të hequra të trupit: sytë, koka, zemra etj. Gjithsej të ekzekutuar ishin 42 persona. Numri i përgjithshëm i të plagosurve ishte 26 veta, nga të dy gjinitë. Meqë ishte në fuqi Marrëveshja e tetorit për Armëpushim dhe në Kosovë vepronte misioni monitorues i OSBE-së, skenat e këtij krimi u vizituan nga shefi i këtij misioni, ambasadori Uilliam Uoker. Ngjarja u transmetua për opinionin botëror nga mediet e shumta. Deklarata e ambasadorit Uoker saktësonte se bëhej fjalë për një masakër dhe për një ekzekutim të civilëve të pambrojtur, prandaj ngjarja u cilësua si krim kundër njerëzimit. Në mëngjesin e 17 janarit pushteti serb kishte nisur drejt Shtimes prokuroren e Prishtinës, në shoqërim të eprorëve policorë, për t’i marrë kufomat e masakrës për këqyrje në Qendrën Spitalore në Prishtinë. Ishte e qartë se Beogradi synonte t’i manipulonte provat e masakrës. Ndërkaq, pala shqiptare kishte kërkuar që këqyrja e kufomave të bëhej nga patologët shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Me këto kërkesa nuk u pajtua pala serbe, e cila si përgjigje nisi drejt Reçakut forca të shumta të policisë dhe të ushtrisë për marrjen e kufomave. Në këto rrethana, rreth orës 9:00 të 17 janarit 1999 nisën luftimet e rrepta për kufomat, ndërmjet forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Luftimet u zgjeruan përgjatë gjithë vijës së frontit dhe zgjatën deri më 20 janar 1999. Në këto luftime pati të vrarë nga të dy palët. Ndërkohë, kufomat e masakrës u tërhoqën nga forcat serbe nga fshati dhe u dërguan në Prishtinë. Deri më 10 shkurt 1999 regjimi serb bëri përpjekje të pasuksesshme për manipulimin e fakteve të masakrës së Reçakut. (Në fotografi: Kompleksi memorial i martirëve të Masakrës së Reçakut.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1058–1059.
Fotografia: © https://sinjali.com/masakra-e-recakut-eshte-njeri-nga-guret-e-themelit-te-shtetesise-se-kosoves/
Përpunim grafik: AHCF




