Lindi në fshatin Bulgarec të Korçës Ligoraq Riza, aktor. Shkollën e mesme (gjimnazi “Raqi Qeranxhi”) e ka mbaruar në Korçë, në vitin 1969. Është diplomuar si aktor në Institutin e Lartë të Arteve (1973). Deri në vitin 1975 ka punuar si aktor në Teatrin e Gjirokastrës. Në vitet 1976–1988, aktor në Estradën e Pogradecit, më pas në teatrin “A. Z. Çajupi” të Korçës. Krahas punës si aktor në vitin 2001, është emëruar regjisor i Teatrit të Kukullave në Korçë. Në karrierën e tij si aktor, ka luajtur mbi 220 role në shfaqje teatri (dramë, komedi), në estradë (komedi, skeç, parodi, kuplet, pantonima), në kinematografi e televizion, në teatrin poetik etj. Në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit në Tiranë ka marrë çmimin “Aleksandër Moisiu” me rolin e Piçëmit tek “Opera për dy pare” e Bertold Brehtit (2003), ndërsa në vitin 2002 çmimin “Xinxifillo” për regjinë më të mirë në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit të Kukullave në Pogradec. Ka recituar vargje nga poezia shqipe dhe e huaj në koncerte të ndryshme dhe në Radio Televizionin Korça. Si regjisor i Teatrit të Kukullave ka vënë në skenë 8 premiera. Aktrimi i tij veçohet për nga thjeshtësia, s’ka bujë, as dëshirë për t’u imponuar, shquhet për emocionin burimor, pa sforcim, duke synuar atë gjëzë karakteristike e të papërsëritshme që u jep personazheve të tij fizionomi. (Në fotografi: Ligoraq Riza)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://www.kinematografia-shqiptare-sporti.com/wp-content/gallery/ligoraq-riza/index.jpg
Përpunim grafik: AHCF




