Marrëveshja ishte një pikë kthese për krizën në Kosovë, e cila erdhi më pas më 10 tetor 1998, kur Këshilli i NATO-s miratoi “Urdhrin për aktivizim”, i cili i lejonte komandantit suprem të NATO-s Uesli Klark (Wesley Clark) të fillonte sulmet ajrore brenda 96 orësh, në rast se konfirmohej se serbët nuk u bindeshin kërkesave të NATO-s. Ky presion ushtarak mbi Beogradin ishte vendimtar për ta detyruar Millosheviqin të bënte marrëveshje. Elementet kryesore të marrëveshjes ishin: përfundimi i veprimeve luftarake serbe në Kosovë, përmbushja e dispozitave të Rezolutës 1199 të KS-së të OKB-së dhe zgjidhja paqësore e problemit të Kosovës. Në anën tjetër, çdo zgjidhje për Kosovën duhet ta respektonte sovranitetin, integritetin territorial dhe njohjen e kufijve ndërkombëtarë të RSFJ-së, por edhe barazinë e të gjithë qytetarëve dhe të bashkësive etnike. Millosheviqi u pajtua për një marrëveshje politike për një zgjidhje të përkohshme për shqiptarët e Kosovës, që do të përfshinte një vetëqeverisje të gjerë për Kosovën, polici lokale dhe zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që do t’i mbikëqyrte OSBE-ja. Përveç kësaj, marrëveshja parashihte tërheqjen e trupave ushtarake dhe policore në pozicionet e tyre të para marsit të vitit 1998, hyrjen e lirë të organizatave ndërkombëtare në Kosovë, bashkëpunimin me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës për ish-Jugosllavinë, rikthimin e refugjatëve, fillimin e bisedimeve, mbikëqyrjen ajrore të NATO-s, amnistinë për të gjithë ata që ishin përfshirë në konflikt, me përjashtim të rasteve të krimeve kundër njerëzimit, si dhe hyrjen e misionit të verifikuesve të OSBE-së në Kosovë me 2 000 persona të paarmatosur. Pjesët e përfunduara të marrëveshjes u nënshkruan nga OSBE-ja, NATO-ja dhe pala serbe/jugosllave. Marrëveshja shënoi ndërkombëtarizimin e plotë të krizës dhe futi përfaqësuesit ndërkombëtarë në tërë territorin e Kosovës. Por marrëveshja nuk dha zgjidhje përfundimtare për problemin e Kosovës. Sipas marrëveshjes, vëzhguesit e OSBE-së do të mbroheshin nga e ashtuquajtura “extraction force” e NATO-s, që ishte stacionuar në Maqedoninë e Veriut dhe që mund të bënte evakuimin eventual të tyre nga Kosova. Shef i Misionit Verifikues (MVK) të OSBE-së u emërua diplomati amerikan Uilliam Uoker (William Walker). MVK-ja hapi zyrat e veta në Prishtinë, Gjilan, Pejë, Prizren dhe Gjakovë. Mirëpo Millosheviqi, edhe pse e kishte nënshkruar marrëveshjen, u përpoq ta shmangte përmbushjen e detyrimeve të marra. (Në fotografi: Riçard Hollbruk duke dhënë konferencë për shtyp, 1999.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1051.
Fotografia: © https://balkaninsight.com/sq/2021/09/06/ushtari-ne-fotografi-ne-kujtim-te-richard-holbrooke/
Përpunim grafik: AHCF




