Kristaq Rama

Lexo ngjarje:

Më 11 prill 1998, në Tiranë u nda nga jeta Kristaq Rama, Skulptor i Popullit. Lindi në Durrës. Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe ndoqi studimet e larta e u diplomua në Institutin “I. E. Rjepin” të Akademisë së Arteve në Leningrad në degën e skulpturës (1954–1960). Filloi punën si inspektor për artet në Ministrinë e Arsimit (1960–1962) dhe më pas drejtor në Galerinë Kombëtare të Arteve (1962–1966), drejtor drejtorie në Ministrinë e Kulturës e të Arsimit (1966–1970); prej vitit 1970 iu kushtua tërësisht skulpturës. Ishte pedagog dhe udhëheqës i Ateliesë së Skulpturës Monumentale në Institutin e Lartë të Arteve. Ekspozoi për herë të parë bustin në dru “Malësori” (1959). Realizoi rreth 200 vepra në skulpturë, ndërmjet tyre, me bashkautorë: “Përmendorja e Luftës së Vlorës” (Vlorë, 1970), “Monumenti i Pavarësisë” (Vlorë, 1972), “Nënë Shqipëri” (Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, 1972), Relievi monumetal në fasadën e Kryeministrisë (1974), “Enver Hoxha” (ish-Muzeu Enver Hoxha, 1988). Vepra të tjera të tij janë: “Shote Galica” (Kukës, 1969), “Kushtrimtari” (Varrezat e dëshmorëve, Tropojë), “Komandanti Bato” (Muzeu Historik Kombëtar, 1981), “Avni Rustemi” (Vlorë) etj. Pas vitit 1990 realizoi vepra me karakter intim, figura në lëvizje, nudo, portrete etj. Kristaq Rama fitoi çmimin e nderit në Bienalen e Aleksandrisë me kokën “Marinari” (1963). Kristaq Rama njihet edhe si volejbollist dhe ka marrë titullin “Mjeshtër sporti” (1954). Deputet i Kuvendit Popullor (1970–1991) dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1986–1990). Ka marrë disa herë Çmimin e Republikës të të tria shkallëve. (Në fotografi: Monumenti “Nënë Shqipëri”, në Tiranë.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2212.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Monumenti_N%C3%ABna_Shqip%C3%ABri

Përpunim grafik: AHCF

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img