Më 19 prill 1914, në Treskë të Korçës lindi Misto Treska (1914–1993), përkthyes e publicist, veprimtar politik, diplomat. Kreu Liceun Kombëtar (francez) në Korçë. Nisi të botojë në vitet ’30 në shtypin e kohës. Në shkrimet që botoi në revistën “Bota e Re”, shtroi kërkesën për një letërsi realiste, me frymë demokratike e sociale. Mori pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare; pati funksione të larta në ushtri dhe më pas në administratën shtetërore e në diplomaci. Përktheu kryesisht nga letërsia franceze, duke sjellë në shqip, me një gjuhë të gjallë e plot kolorit, kryevepra si: “Nipi i Ramoit” (Didëro), “Të mjerët” (V. Hygo), “Lysien Leveni” (Stendal), “Gjëri i vogël” (A. Dode), “Kola Brënjoni” (R. Rolan), “Heshtja e detit” (Verkor) etj. Një bibliotekë me mbi 500 tituj librash në Tiranë mban emrin e tij. (Në fotografi: Biblioteka “Misto Treska”, Tiranë.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2755–2756.
Fotografia: © Bashkia Tiranë
Përpunim grafik: AHCF




