Anton Pashku

Lexo ngjarje:

Në Prishtinë u nda nga jeta Anton Pashku, shkrimtar. Lindi në Grazhdanik, afër Prizrenit, në vitin 1937. Shkollën fillore dhe pesë klasë të gjimnazit i kreu në Prizren, ndërsa tri klasat e fundit në Gjimnazin e Prishtinës. Gjithë kohën punoi në “Rilindje”, një herë gazetar, pastaj redaktor i rubrikës së kulturës dhe në njëzet vjetët e fundit redaktor në redaksinë e botimeve të “Rilindjes”. Shkrimet letrare filloi t’i botojë që nga viti 1955. Shkroi prozë dhe drama. Është autor i temave shqiptare dhe i formave universale, që punën me formën e ktheu në kult, që veprën e mendon të identifikueshme me ekzistencën e kulturën nacionale moderne. Veprën e tij letrare e shkroi dhe e botoi në Prishtinë. Vepra letrare e Anton Pashkut është narrative (tregime e roman) dhe dramaturgjike. Por edhe te romani, ai e ruajti tregimin si amzë zhanrore të prozës, ndërsa dramat, së paku si diskurs, ruajnë veti të narrativës. Tregimi është zhanri që mbizotëron në veprën letrare të Anton Pashkut. Tregimet e tij tematikisht janë ekzistenciale dhe nacionale, gjithnjë të universalizuara. Kështu, kulla s’është figura lineare e traditës, por figura e hapur e esencës dhe e ekzistencës nacionale në vorbullën e ekzistencës (së ashpër) universale. Tregimet e Anton Pashkut thuren në tri qarqe themelore tematike: të dashurisë, të vetmisë së kërkuar dhe të kushtëzuar nga një totalitarizëm dhe qarku tematik për dhunën mbi individin. Romani “Oh” është vepra më e njohur e Anton Pashkut. Romani e lakon temën (e humbjes) në variantin universal, nacional (oral e historik) dhe individual. (Në fotografi: Anton Pashku)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1259–1260.

Fotografia: © https://arkivirilindja.com/autoret/67

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img