Në Tiranë u nda nga jeta Geraldinë Zogu (Geraldine Apponyi), mbretëreshë e shqiptarëve e kurorëzuar nga martesa civile me mbretin e shqiptarëve, Ahmet Zogu, në Tiranë, më 27 prill 1938. Lindi në një familje fisnike hungareze në Budapest (Hungari), në vitin 1915, dhe mbante titullin konteshë. U edukua në shkollat më në zë hungareze dhe vjeneze. Në formimin e saj lanë gjurmë studimet në Kuvendin e njohur të Zemrës së Shenjtë të Presbaumit, pranë Vjenës. Mësoi gjuhën shqipe, respektoi traditat vendëse dhe ruajti deri në fund të jetës dashurinë për Shqipërinë dhe njerëzit e saj. Me pushtimin fashist të Shqipërisë (7 prill 1939), së bashku me familjen dhe djalin, Leka Zogun, u largua nga vendi. Gjatë Luftës II Botërore mbajti lidhje me diasporën shqiptare dhe me rrethe proshqiptare, që vepronin në kryeqytete të ndryshme të Evropës. Pas vdekjes së Ahmet Zogut jetoi në Spanjë dhe në Johanesburg (Afrika e Jugut). Në qershor 2002 u kthye në Shqipëri bashkë me familjen. U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 2002. Është dekoruar me urdhrin “Nënë Tereza”. (Në fotografi: Geraldinë Zogu)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2997.
Fotografia: © https://albanianroyalcourt.al/sq/mbreteresha-geraldine/
Përpunim grafik: AHCF




