U nda nga jeta Gjin Bua Shpata, sundimtar në tokat e Epirit. Në gjysmën e dytë të shekullit XIV u shpall despot i Akelout dhe Angjelokastrës dhe pas vdekjes, i Peter Ljoshës (1374), sundimtar i despotatit shqiptar të Artës. Kufijtë e zotërimeve të tij shtriheshin mbi një territor kompakt që shkonte nga gjiri i Ambrakisë deri në lumin Gli në Çamëri, ku fillonin zotërimet e Gjin Zenevisit. Gjatë gjithë sundimit të tij, Gjin Bua Shpata ishte në konflikt të hapur me sundimtarët e Janinës Toma Preljuboviç dhe Esau Buondelmonte, të cilët mundën të përballonin trysninë e tij mbi Janinën, vetëm duke kërkuar ndihmën e osmanëve nga Tesalia. Një tjetër kundërshtar me të cilin u ndesh Gjin Bua Shpata ishte Mbretëria e Napolit, që kërkonte të shtrinte zotërimin e vet mbi bregdetin Jon dhe në tokat e Despotatit të Artës. Më 1379, Gjin Bua Shpata korri një fitore para mureve të Artës duke thyer një ekspeditë të ardhur nga Napoli me komandantin e Johanitëve të Rodit në krye, i cili u zu rob. Konflikti vazhdoi me luftime të mëtejshme me vëllezërit Toko, vasalë të Napolit në ishujt Leukada e Qefalonia, kundër të cilëve Gjin Bua Shpata përdori me sukses flotën e vet. Një front i tretë iu hap Gjin Bua Shpatës me vërshimin e osmanëve më 1384 dhe 1388 nga Thesalia e Maqedonia, të cilëve ai mundi t’u shkaktonte një disfatë në vendin Drisk, më 1396. Megjithëse i angazhuar në konflikte në disa fronte, Despotati i Artës nën sundimin e Gjin Bua Shpatës mundi t’i bënte ballë për disa kohë efektit shthurës të forcave të jashtme dhe të arrinte fuqizimin e tij më të madh. (Në fotografi: Despotati i Artës nën sundimin e Gjin Bua Shpatës)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2521.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Despotati_i_Nart%C3%ABs
Përpunim grafik: AHCF




