Kryengritja e Rrafshit të Dukagjinit

Lexo ngjarje:

U zhvillua “Kryengritja e Rrafshit të Dukagjinit”, kryengritja më e fuqishme shqiptare në Kosovë kundër pushtetit serb, për çlirim e bashkim kombëtar, në periudhën midis dy luftërave botërore. Rivendosja e pushtetit serb në Kosovë, më 1918, çoi në riorganizimin e qëndresës së armatosur të popullsisë shqiptare. Dhuna e terrori i autoriteteve serbe ngjallën zemërimin në popull dhe u bënë shkak për shpërthimin e një kryengritjeje të përgjithshme. Konfrontimet e para me armë filluan më 25 tetor 1918. Organizimin e rezistencës së armatosur e kishte marrë përsipër Komiteti i Kosovës. Në krye të forcave kryengritëse u vendos major Hysni Curri. Çetat shqiptare vepronin në bazë të një programi të formuluar nga Komiteti. Në program përcaktoheshin qartë detyrat themelore politike dhe ushtarake të forcave kryengritëse. Në muajin shkurt të vitit 1919 në Rugovë, Plavë e Guci u luftua frontalisht kundër forcave ushtarake serbe. Kryengritja, edhe pse përfshiu gati tërë Kosovën, ajo njihet më tepër si kryengritje e Dukagjinit. Ndër udhëheqësit kryesorë të saj ishin: Azem Galica, Sadik Rama, Ramadan Shabani, Zef Gjidoda etj. Më 24 prill 1919, në shumicën e territorit të Kosovës u shpërndanë thirrje për kryengritje, që ishte caktuar të fillonte më 6 maj. Po këtë ditë, nën drejtimin e Azem Galicës, mbi 1 000 kryengritës sulmuan Deviqin (qendër administrative) dhe më vonë forcat serbe në fshatrat Rezallë dhe Kopiliq. Në të njëjtën ditë, kryengritja filloi në nahijen e Pejës, në Llapushë, nën udhëheqjen e Sadik Ramës, Ramadan Shabanit, Beqir e Zeqir Rexhës, në Rugovë nën udhëheqjen e Ker Sadrisë; në Llap nën udhëheqjen e Rame Vllasës, Hys Popovës, Osman Pollatës, Sahit Shajkovcit etj. Pjesa më e madhe e territorit të Drenicës, e Llapit, e Llapushës dhe e Dukagjinit u çlirua nga kryengritësit, të cilët vendosën pushtetin e tyre. Pothuajse gjatë tërë kohës së kryengritjes, shtabi kryesor i kryengritjes ishte i vendosur në fshatin Sverkë të Gashit, prej nga drejtoheshin operacionet. Nga mesi i majit në Kosovë numëroheshin rreth 10 mijë kryengritës. Në mungesë të materialit të duhur luftarak, ushqimit dhe për shkak të bombardimeve me topa nga ushtria jugosllave, nga fillimi i qershorit kryengritja filloi të bjerë nga intensiteti. Çetat çlirimtare pjesërisht u shpërndanë në grupe të vogla nëpër male, e pjesërisht u detyruan të largohen dhe të vendosen në Shqipëri. Në Kosovë gjatë kryengritjes së vitit 1919 u vranë 12 291 veta dhe u dogjën 5 345 shtëpi. Pavarësisht nga dëmet e mëdha, qëndresa e armatosur në forma të ndryshme vazhdoi deri në vitin 1941. (Në fotografi: Pamje nga Rrafshi i Dukagjinit.)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 897.

Fotografia: © https://www.facebook.com/788310334704138/photos/788363894698782/

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img