29-30 Qershor 1913
Filloi Lufta II Ballkanike. Menjëherë pas mbarimit të Luftës I Ballkanike, ndërmjet aleatëve ballkanikë u shfaqën pakënaqësitë, kontradiktat dhe incidentet politike e ushtarake. Më 29–30 qershor 1913, Ferdinandi I i Bullgarisë urdhëroi sulmin ndaj Greqisë dhe Serbisë, gjë që shënoi fillimin e Luftës II Ballkanike. Ajo përfundoi më 31 korrik 1913 me humbjen e Bullgarisë. Mbarimi i saj largoi përfundimisht nga territoret shqiptare rrezikun e pushtimit bullgar. Ushtria serbe hyri në trevat shqiptare në Maqedoninë Perëndimore, ndërsa ushtria greke vendosi nën kontroll Çamërinë, përfshirë edhe Janinën. Kërkesat për të aneksuar në kufijtë e shteteve të tyre tokat shqiptare, aleatët ballkanikë ia paraqitën Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Si përfundim, në fund të dy luftërave ballkanike 1912–1913, pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve dhe Protokollit të Firences, Fuqitë e Mëdha lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar një pjesë të madhe të territoreve veriore, lindore e jugore, duke ia aneksuar ato përkatësisht Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë. (Në fotografi: Hartë që tregon fitimet përfundimtare territoriale të vendeve ballkanike pas luftërave ballkanike.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1557.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Lufta_e_Dyt%C3%AB_Ballkanike
Përpunim grafik: AHCF




