U zhvillua “Lufta për çlirimin e Tiranës”, një operacion i madh nga më të rëndësishmit, më të ashprit e më të suksesshmit që kanë zhvilluar njësitë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë. U përgatit e u zhvillua në kuadrin e Mësymjes së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare për çlirimin e plotë të Shqipërisë; ishte vazhdimi dhe kulmi i kësaj mësymjeje. U zhvillua në trekëndëshin Krujë–Elbasan–Durrës, me një hapësirë rreth 4000 km², duke përfshirë veprimet luftarake për çlirimin e Tiranës dhe të qyteteve përreth saj. U krye sipas planit operativo-strategjik të përgatitur nga Komanda e Përgjithshme. Objektivi kryesor i planit ishte çlirimi i kryeqytetit të vendit, Tiranës. Komanda e Korparmatës XXI Malore gjermane, duke u nisur nga rëndësia që kishte Tirana si kryeqytet i vendit dhe si rrugë e detyrueshme kalimi për forcat e saj në tërheqje, e organizoi mbrojtjen në tri vija, në të cilat kishte kryer punime fortifikimi dhe kishte vendosur shumë forca e mjete. Në të gjitha objektet e rëndësishme e të mëdha në qytet ishin ndërtuar pikëmbështetje. Brenda në Tiranë armiku kishte përqendruar rreth 3000 forca gjermane, rreth 800 forca të bashkëpunëtorëve vendës, dy grupe artilerie, një nënrepart tankesh dhe shumë mortaja të lehta e të rënda. Sasia e përgjithshme e forcave armike në zonën e operacionit arrinte rreth 10 100 veta. Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua Korparmatës I Sulmuese, me komandant Dali Ndreun. Shtabi i Korparmatës hartoi një plan operacioni të hollësishëm në bazë të planit operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme. Plani parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm. Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11–17 nëntor). Operacioni mësymës për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua. Në kuadrin e këtij operacioni gjatë dy javëve të para të nëntorit, u çliruan njëri pas tjetrit: Kruja, Elbasani dhe Durrësi. Në luftën për çlirimin e Tiranës një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij. (Në fotografi: Harta e betejës për çlirimin e Tiranës.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1555–1556.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




