Në Zallin e Kirit (Shkodër), në orën 5 të mëngjesit, jashtë mureve të varrezave u pushkatua at Çiprian Nika, mësues, publicist, martir i Kishës Katolike. Lindi në Shkodër. I mbetur jetim që në moshën pesëvjeçare, ndoqi shkollën fillore dhe të mesme te fretërit në Shkodër, kurse studimet për teologji i kreu në Austri. Zhgunin françeskan e veshi më 16 tetor 1916 dhe kushtet solemne i dha më 16 shtator 1921, ndërsa më 25 korrik 1924, u shugurua meshtar në qytetin e Romës në Itali. Gjatë jetës së tij ndërmori disa role kryesore, si: mësues i novicëve dhe i klerikëve, provincial i françeskanëve (1938–1941) si dhe gardian i kuvendit të Shkodrës nga viti 1943 e deri në fund të jetës së tij. U arrestua me akuzën e vendosjes dhe fshehjes së armëve në altarin e kishës, me paramendimin për të zhvilluar një kryengritje të armatosur. Në datën 28 dhjetor 1947, trupi gjykues e dënoi at Ciprian Nikën me vdekje me pushkatim. (Në fotografi: At Çiprian Nika)
Teksti: Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/%C3%87iprian_Nika
Përpunim grafik: AHCF




