Në Tiranë lindi Alush Shima, piktor filmi dhe kostumesh. Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe ndoqi studimet e u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve (1965). Punoi si piktor modelist në ndërmarrjen artistike “Migjeni”. Në vitin 1966 filloi punën në Kinostudion “Shqipëria e Re” si piktor kostumesh dhe realizoi kostumet e 11 filmave. Nga 1979 deri në vitin 1990 realizoi 15 filma si piktor, ndër të cilët: “Koha e largët” (1983); “Kush vdes në këmbë” (1984); “Hije që mbeten pas” (1985); “Dhe vjen një ditë” (1986) etj. Më 1990 hapi në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën e parë vetjake me 210 punime (shumica të realizuara që nga viti 1967, por të paekspozuara deri në vendosjen e pluralizmit); më 1994 çeli ekspozitën e dytë vetjake “Ankth” me 86 punime, temat dhe subjekti i të cilave ishin stigmatizimi i diktaturës komuniste (edhe këto, vepra të punuara gjatë periudhës 1970–1991, por të papublikuara). Ka marrë pjesë në disa ekspozita ndërkombëtare si: në Angli, SHBA, Francë, Zvicër, Greqi, Maltë, Turqi, Izrael, Hong-Kong, Singapor etj. Vazhdon të krijojë pikturë në telajo në artin dydimensional. Ka qenë drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve (1994–1997) dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë (1996–1997). (Në fotografi: Vepra e Shimës “Luledele në vazo blu”, vaj në kanavacë.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2457.
Fotografia: https://harabel.com.al/alush-shima/
Përpunim grafik: AHCF




