U nënshkrua Traktati i Paqes së Shën-Stefanit, traktati i paqes që Rusia cariste i imponoi Turqisë pas disfatës që kjo e fundit pësoi në luftën ruso-turke (24 prill 1877). Është quajtur sipas emrit të fshatit Shën Stefan (sot Jeshilkoj), ku u nënshkrua. Me të Rusia u orvat të nxirrte përfitimet më të mëdha, duke i vënë përpara faktit të kryer Fuqitë e tjera. Pika qendrore e këtij traktati ishte krijimi i një Bullgarie të madhe, në kufijtë e së cilës përfshiheshin edhe qendra të rëndësishme e vise të tjera me popullsi shqiptare, si Tetova, Kërçova, Gostivari, Dibra, Struga, Pogradeci, Korça etj. Traktati i cungonte rëndë tokat shqiptare. Mali i Zi e trefishonte territorin e tij e zgjerohej edhe në drejtim të Shqipërisë duke marrë Ulqinin, Tivarin dhe Bunën, gati gjithë Liqenin e Shkodrës me përjashtim të qytetit, Hotin e Grudën, Plavën e Gucinë. Serbia shtrihej deri në sanxhakun e Prishtinës në afërsi të Mitrovicës. Kështu, në bazë të Traktatit të Paqes së Shën Stefanit, pjesa më e madhe e Shqipërisë Veriore dhe Lindore ndahej midis tri shteteve sllave. Traktati hasi në kundërshtimin e rreptë nga ana e Fuqive të tjera të Mëdha, gjë që çoi në mbledhjen e Kongresit të Berlinit, në qershor 1878. Në Shqipëri ai u bë shkak për shpërthimin e një lëvizjeje të gjerë proteste, e cila i dha një hov të ri lëvizjes së përgjithshme kombëtare, që u kurorëzua, po në qershor, me themelimin e Lidhjes Shqiptare në Prizren (1878). (Në fotografi: Moment ilustrues nga Traktati i Paqes së Shën Stefanit, 1878.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2736.
Fotografia: © https://kosovapress.com/
Përpunim grafik: AHCF




