Në Vjenë u nda nga jeta Gjergj Pekmezi, gjuhëtar. Lindi në Tushemisht të Pogradecit, në vitin 1872. Në vendlindje kreu shkollën fillore; vijoi më tej shkollimin në Manastir e në Beograd. Më 1894–1898 studioi dhe u diplomua në Universitetin e Vjenës për filozofi dhe gjuhësi (sllavistikë). I ngarkuar nga Akademia e Shkencave e Austrisë, u dërgua disa herë në Shqipëri për të mbledhur materiale dialektore. Mbrojti doktoratën me një punim për tiparet dalluese themelore ndërmjet gegërishtes e toskërishtes. Me nismën e tij, më 1903, në Institutin Oriental të Vjenës u hap katedra e gjuhës shqipe. Shërbeu disa kohë edhe si konsull i Shqipërisë në Austri (1920–1924, 1926–1928). Për dhjetë vjet (1928–1938) dha mësimin e gjuhës shqipe në Universitetin e Vjenës dhe u mor me mbledhjen e dokumenteve për historinë e Shqipërisë. Si bashkautor botoi “Bibliografi shqiptare” (1909) dhe në vitet 1913–1914 botoi disa libra mësimi e leximi për gjuhën shqipe në bashkëpunim me Maksimilian Lambercin. Më 1924 botoi të transkriptuar në alfabetin e sotëm “Bletën shqiptare” të Thimi Mitkos. Vepra e tij kryesore është “Albanesische Grammatik”, 1908 (“Gramatikë e gjuhës shqipe”), një ndër gramatikat më të plota të gjuhës shqipe me një nivel të ngritur teorik, njëkohësisht përshkruese e historike. Gjergj Pekmezi ka lënë monografinë në dorëshkrim (ruhet në arkivin e Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, ASA) me titull “Tiparet dalluese më karakteristike të dialekteve kryesore të shqipes, gegërishtes dhe toskërishtes”. Një paraqitje të përmbledhur të përmbajtjes së tij ka dhënë Mahir Domi në “Dialektologjia shqiptare” VI (1990). (Në fotografi: Gjergj Pekmezi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1976–1977.
Fotografia: © https://www.zemrashqiptare.net/news/48325/hazir-mehmeti-gjergj-pekmezi-gramatika-e-shqipes.html?sdate=6/9/2018
Përpunim grafik: AHCF




