Enver Hoxha

Lexo ngjarje:

Më 11 prill 1985, në Tiranë u nda nga jeta Enver Hoxha, udhëheqës i Partisë Komuniste dhe më pas i Partisë së Punës të Shqipërisë. Udhëhoqi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe drejtoi shtetin shqiptar pas luftës. Lindi në Gjirokastër, ku ndoqi shkollën qytetëse dhe klasat e ulëta të liceut (1917–1927). Kreu Liceun Kombëtar (francez) të Korçës (1927–1930). Shkoi për studime të larta (për biokimi) në Universitetin e Monpeljesë (Francë), të cilat nuk i përfundoi. Qëndroi në Paris e më pas në Bruksel si nëpunës i Konsullatës shqiptare në Belgjikë, por pas disa muajsh u pushua nga puna. Në korrik 1936 u kthye në atdhe. Hyri në lidhje me grupin komunist të Korçës dhe u bë një ndër anëtarët aktivë të tij. Pas pushtimit fashist të vendit mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe u bë një ndër organizatorët e saj. Mori pjesë në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare (8–14 nëntor 1941) si përfaqësues i grupit komunist të Korçës dhe u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të Përkohshëm, i ngarkuar me financën e partisë, dhe më pas sekretar politik i Qarkorit të Tiranës. Në Konferencën e Parë Nacionalçlirimtare të Pezës (1942) mori pjesë si delegat i Partisë Komuniste Shqiptare dhe u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Në Konferencën e Parë të Partisë Komuniste Shqiptare (Labinot, mars 1943), u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Shqiptare. Këtë post, me emërtimin e mëvonshëm Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, e mbajti deri në fund të jetës. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar në Labinot të Elbasanit (korrik, 1943) u zgjodh anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe u caktua komisar politik i tij. Në Kongresin e Përmetit (1944) u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe u emërua kryetar i Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtar Shqiptare me gradën gjeneral armate. Në Mbledhjen e Dytë të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (Berat, 2023.10.1944) u emërua Kryeministër i Qeverisë Demokratike të Shqipërisë. Pas çlirimit u zgjodh deputet në të gjitha legjislaturat dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Asambleja Kushtetuese e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 e emëroi Kryetar të Qeverisë; mbajti njëkohësisht edhe detyrën e ministrit të Jashtëm dhe të ministrit të Mbrojtjes. Nën udhëheqjen e Enver Hoxhës në Shqipëri u vendos një diktaturë staliniste, u zbatua një luftë e ashpër klasash, e shoqëruar me shkelje të lirive e të drejtave të njeriut, me përndjekje e dënime, deri dhe kapitale, të kundërshtarëve politikë. Në Kushtetutën e hartuar nën drejtimin e tij (Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë) u sanksionua roli udhëheqës i Partisë së Punës të Shqipërisë si e vetmja forcë udhëheqëse e shtetit dhe e shoqërisë, lufta e klasave si forcë kryesore lëvizëse e shoqërisë, parimi i mbështetjes në forcat e veta, ndalimi i pronës private. Veprimtaria e Partisë së Punës të Shqipërisë, që udhëhiqej nga Enver Hoxha, u karakterizua nga goditje të vazhdueshme të grupeve të cilësuara si armiqësore, pasojë e luftës së klasave, që u shtri edhe në radhët e saj. Enver Hoxha kundërshtoi çdo orvatje për ndryshim e liberalizim të sistemit. Gjatë viteve që drejtoi shtetin, ekonomia në përgjithësi, energjetika, arsimi e kultura dhe shëndetësia njohën ritme të larta zhvillimi. Por masat radikale që u zbatuan në ekonomi, çuan në likuidimin e plotë të pronës private e të nismës private dhe në krijimin e sistemit të ekonomisë së centralizuar, që rezultoi i paefektshëm dhe në fund dështoi, duke e futur vendin në krizë të përgjithshme. Në politikën e jashtme Enver Hoxha ndoqi një kurs të ashpër, që çoi në izolimin e vendit nga bota. Pas luftës u prish me aleatët perëndimorë (Angli, SHBA) dhe u lidh ngushtë me vendet e bllokut komunist. Në vitin 1948 shkëputi marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe u lidh ngushtë me Bashkimin Sovjetik e me vendet e tjera të kampit socialist. Pas vdekjes së Stalinit kundërshtoi kursin e Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe procesin e destalinizimit që ndërmori Nikita S. Hrushovi, duke mbetur besnik i trashëgimisë staliniste. Qëndrimi në këto pozita çoi në prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik e me vendet e tjera të Bllokut Lindor. Ndërkohë u lidh ngushtë me Republikën Popullore të Kinës. Por dhe kjo miqësi në vitet ’70 filloi të tronditet e më pas u ndërpre për shkak të divergjencave që lindën me udhëheqjen kineze, e cila filloi kursin e përmirësimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Sovjetik si dhe me Jugosllavinë. Në vitin 1968 nisi botimi i serisë së “Veprave” të tij, që u ndërpre në vëllimin e 71-të (1990). Jashtë kësaj serie ka botuar veprat: “Imperializmi dhe revolucioni” (1978), “Shënime për Kinën” (1979), si dhe një varg veprash memorialistike: “Kur lindi Partia” (1981), “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së Re” (1984), “Me Stalinin” (1979), “Hrushovianët” (1980), “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” (1982), “Titistët” (1982) etj. (Në fotografi: Enver Hoxha)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 957–959.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Enver_Hoxha

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Abdulla Rami

Në Tatzat të Delvinës lindi Abdulla Rami, jurist, filozof e përkthyes.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img