Në Tatzat të Delvinës lindi Abdulla Rami, jurist, filozof e përkthyes. Vitet e para të shkollimit i nisi në Egjipt dhe i përfundoi në vitet ’20, në Delvinë. Gjatë viteve 1927–1931 kreu studimet në liceun francez të Korçës, ku u diplomua në degën e filozofisë. Pas funksionit si misionar i dijes në Fier, Përmet dhe Delvinë, në vitet 1931–1936, vazhdoi studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Montpellier, në Francë, dhe u diplomua në jurisprudencë. Në korrik të vitit 1940 u emërua gjykatës në Përmet e më pas në Konispol dhe dy vite më tej, gjyqtar i klasit të parë në administratën juridike të Gjilanit, në Kosovë. Në shtator të vitit 1943 mbështeti dhe përkrahu Konferencën e Mukjes duke mbrojtur idealin e bashkimit mbarëkombëtar për një Shqipëri të lirë dhe etnike. Ishte ndër përfaqësuesit më të spikatur të organizatës “Balli Kombëtar” për qarkun e Gjirokastrës dhe kundërshtoi hapur përhapjen e ideve komuniste në Shqipëri. Më 16 dhjetor 1944 u arrestua si kundërshtar i regjimit komunist dhe u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm, më pas me tridhjetë vjet burg, nga të cilat vuajti tetëmbëdhjetë vjet në Burgun e Burrelit. Mbas burgut u dëbua familjarisht në Gosë të Kavajës. Iu mohua e drejta e ushtrimit të profesionit të juristit dhe gjykatësit dhe u detyrua të punonte si punëtor krahu në punë të detyruar, deri në fund të jetës së tij. Ka përkthyer vepra të autorëve francezë e anglezë, si: Victor Hugo, Jean-Marie Guyau, Clarence Dey, Henry Van Dyke, William Ernest Henley, Lord Byron, James Montgomery, Walter Skott, Emily Jane Brontë, William Johnson Cory, Andre Chénier. Më 19 shkurt 1996, Presidenti i Republikës së Shqipërisë e dekorojnë me titullin “Martir i Demokracisë”. (Në fotografi: Abdulla Rami)
Teksti: Agjencia Telegrafike Shqiptare
Fotografia: © Agjencia Telegrafike Shqiptare
Përpunim grafik: AHCF




